Nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë, Z.Bashkim Shehu u organizuan aktivitetet përkujtimore në nderim të poetit martir Havzi Nela, i ekzekutuar me varje në litar 30 vite më parë, me 10 Gusht 1988.

Ceremonia zyrtare nisi me homazhet dhe vendosjen e kurorave me lule pranë bustit te poetit, i ngritur nga Bashkia Kukës me 12 Qershor të këtij viti.




Më pas aktivitetet u zhvendosën në Kollovoz, fshatin e lindjes së Havzi Nelës, ku fillimisht u vendosën kurora me lule tek varri i poetit disident e më pas, Kryetari i Bashkisë zbuloi pllakën e shtëpise muze të poetit.






Në fjalën e tij kryetari Shehu duke falenderuar të pranishmit për pjesmarrjen në këtë ceremoni në nderim të poetit, tha:
“Sot nderojmë të gjithë martirët e fjalës së lirë dhe demokracisë. Ishte detyrë dhe detyrim i imi ngritja e bustit dhe rindërtimi i shtëpisë së Havzi Nelës, e cila shumë shpejt do të kthehet në shtëpi muze dhe mund të vizitohet nga të gjithë ata që janë të interesuar të njihen me jetën dhe veprën e tij.”


Nën Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Z.Edi Paloka, duke vleresuar figuren e Havzi Nelës tha se:
“Havzi Nelën duhet ta respektojë çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve, për atë çka përfaqëson. Sot, mbas 30 viteve ne nderojmë Havzi Nelën, por për fat të keq në parlament kemi bijtë e atyre që dënuan Havzi Nelën dhe kryeministër të birin e njërit prej firmëtarëve të varjes së tij. Nëse ne si popull nuk ndërgjegjësohemi për atë çfarë ka ndodhur në këtë vend, historia mund të na dënojë me përsëritje”.

Në nderim të poetit Havzi Nela, në Kollovoz mbërritën shkrimtarë të njohur e artistë, fjalimet e të cilëve janë përmbledhur në një botim të posaçëm “Shkrimtarët për Havzi Nelën-Shpirti i lirë i Lumës”, libër i cili së bashku me botimin nr. 14 të revistës “Illz” kushtuar poetit Havzi Nela dhe dy poetëve të librazhdit të ekzekutuar nga regjimi komunist, u promovuan në ceremoninë e sotme në Kollovoz.

Eshtë hera e parë që nga Bashkia Kukësit realizohen veprimtari të tilla për poetin Havzi Nela, të konkretizuara me ngritjen e bustit në qytetin e Kukësit dhe rindërtimin e shtëpisë muze të poetit në Kollovoz.