Bashkia Kukës ka mbledhur sot Shtabin e Emergjencave me qëllim hartimin e strategjisë së mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore. Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes strukturave të Emergjencave Civile ,Policisë e Ushtrisë.


Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë, Z.Bujar Muçmata vuri theksin tek mobilizimi i të gjitha strukturave për evidentimin dhe parandalimin e zjarrvënieve të qëllimshme.

-“Administratorët e Njësive duhet të evidentojnë e denoncojnë çdo zjarrvënie të qëllimshme, sikundër edhe Policia duhet ti japë ndëshkimin e duhur çdo personi që kryen një vepër të tillë. Gjithashtu, nga Detashmenti i Mbrojtjes kërkojmë që në raste të zjarreve të angazhohen me mjete e grupe pune me qëllim vënien nën kontroll dhe stabilizimin e situatës”.


Në këtë mbledhje u diskutua edhe për masat parandaluese në fushën e kultivimit dhe tregtimit të bimëve narkotike. U kërkua më tepër angazhim e bashkëpunim mes administratorëve, kryetarëve të fshatrave, inspektorëve të Policisë së Shtetit, Shërbimit Pyjor etj.

Në këtë takim merrnin pjesë Komandanti i Detashmentit të Mbrojtjes Kukës, Shefi i Rendit Kukës, Drejtori Rajonal i Bujqësisë, Drejtori i OSHEE-së, AKU, drejtorët e drejtorive të bashkisë si dhe Administratorët e 14 Njësive Administrative të Bashkisë Kukës.