Kryetari i Bashkisë, Z.Bashkim Shehu mblodhi sot në një takim të zgjeruar Shtabin e Emergjencave Civile, ku veç 14 kryetarëve të Njësive Administrative e drejtorëve të administratës së bashkisë, merrnin pjesë edhe përfaqësues të ushtrisë, policisë, spitalit e institucioneve të tjera.

Në fjalën e tij kryetari Shehu bëri një përmbledhje të situatës në territorin e Bashkisë Kukës, ku pavarësisht reshjeve të shumta e vlerësoi të mirë dhe pa problematika të theksuara.

“Situata në të gjithë territorin e bashkisë Kukës përgjithësisht ka qenë e mirë, nuk kemi probleme në njerëz, rrëshqitje masive apo bllokime të fshatrave. Furnizimi me ujë ka qenë i mirë. Problemi i shtëpisë së djegur në Kalis është drejt zgjidhjes. Nëpërmjet kontakteve me bizneset është siguruar baza materiale për ndërtimin e shtëpisë”

Duke u ndalur tek bashkëpunimi me biznesin kryebashkiaku Shehu ftoi bizneset që zhvillojnë aktivitetin në Kukës që të jenë më afër komunitetit në raste emergjencash.

“I bëjmë thirrje bizneseve, sidomos atyre që zhvillojnë aktivitetin në zona të largëta (qofte me prodhimin e energjisë apo shfrytëzimin e mineraleve) të jenë më bashkëpunues e tu gjinden më afër banorëve të zonës, sidomos në raste të tilla”.

Për kryetarët e Njësive Administrative, kryetari Shehu kërkoi që të jenë më të angazhuar e disa probleme të vogla që mund të kenë zonat që mbulojnë ti zgjidhin edhe në bashkëpunim me komunitetin.

Kryetari Shehu i bëri thirrje edhe Këshillit Bashkiak që të mblidhen sa më shpejt e të marrin në shqyrtim projekt-vendimet që kanë të bëjnë edhe me Emergjencat Civile.

Në përfundim Kryetari i Bashkisë, Z.Bashkim Shehu falenderoi të gjithë pjesmarrësit në takim për bashkëpunimin dhe angazhimin e deritanishëm.