Që nga muaji Tetor 2007 në Bashkinë Kukës funksionon Qendra e Shërbimeve Sociale (QSHS), aktivitet i cili filloi si një projekt në  bashkëpunim me Bankën Botërore e cila financoi këtë projekt për 8 muaj dhe prej një viti ka kaluar në vartësi të Bashkisë Kukës. Kjo qendër ofron shërbime për shtresat në nevojë dhe ka personel të kualifikuar me 1 psikologe 4 punonjëse sociale dhe 4 edukatore. Kjo qendër merret me identifikimin e personave në nevojë të Bashkisë (fëmijë në nevojë, fëmijë me aftësi të kufizuara, të rinj, gra dhe të moshuar në nevojë), ofron këshillime psiko-sociale për këto target grupe, kryen biseda me tema të ndryshme sociale si dhuna, trafikimi, shfrytëzimi, droga, duhani e alkoli, barazia gjinore, marëdhëniet mes brezave, aktivitete ndërgjegjësuese në qendër dhe në komunitet sidomos me fëmijët, të rinjtë dhe gratë me qëllim sensibilizimi dhe parandalimin e fenomeneve negative që shqetësojnë shoqërinë tonë në ditët e sotme.

Gjatë pothuajse 2 vjetëve në këtë qender kanë marrë shërbim rreth 340 fëmijë në nevojë, 112 gra në nevojë, 47 të rinj dhe 89 të moshuar. Po në këtë kuadër, pra me qëllim që shërbimi të jetë brenda standarteve dhe me cilësinë e kërkuar duke e ofruar këtë shërbim në funksion të kërkesave të personave në nevojë, si dhe duke realizuar dhe një nga premtimet tona, funksionon që nga dhjetori 2008 klubi i pensionistëve ku mosha e 3 kalon një pjesë të mirë të ditës duke u marrë me aktivitete të ndryshme si lojra në tavolinë, shikim televizori si dhe shtypi i ditës i cili u ofrohet pa pagesë. Po ashtu në këtë lokal kafja dhe pijet e ngrohta ofrohen me çmime shumë të ulëta të cilat kushtojnë nga 20 lekë dhe pijet alkolike 30 lekë, në një kohë që në lokale të tjëra ofrohen me një çmim prej 50 lekë.
Po shikohet mundësia që në bashkëpunim me Drejtorinë  e Qendrës Shërbimeve Shëndetësore Kukës të ofrohet shërbimi shëndetësor pranë QSHS nga mjekët e familjes e infermierët dhe njëkohësisht të jepet edhe këshilla mjekësore nga këta mjekë.
Gjithashtu në dhjetor 2008 u bë e mundur që falë një projekti të financuar nga shoqata “ASED” Zvicër në bashkëpunim me Bashkinë Kukës e cila ofroi ambientet të bëhet e mundur edhe hapja e një qendre ditore për fëmijët me aftësi të kufizuar, një shtresë e cila deri tani nuk ka patur vëmendjen e duhur, ku shërbimi ofrohet për 12 fëmijë, të cilët nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë. Me këta fëmijë zhvillohen aktivitete të ndryshme për aftësimin e tyre si nga ana mendore dhe ajo fizike. Gjithashtu për këta fëmijë ofrohet transport falas.