Kukësi vijon të jetë nën pushtetin e dëborës, reshjet e së cilës janë intensifikuar gjatë mëngjesit të sotëm. Fshatrat Arrën, Kalis, Grykëçajë e Surroj janë te bllokuara ndërsa një pjesë e fshatrave janë pa energji elektrike.

Në një dalje për mediat, Kryetari i Bashkisë, Z.Bashkim Shehu kërkon mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave për situatën, ndërsa shton se Bashkia ka marrë të gjitha masat për funksionimin e institucioneve jetike si ujësjellësi si dhe mbajtjen hapur të rrugëve që të çojnë drejt spitalit, maternitetit dhe njësive të shërbimit.



Kryetari i Bashkisë i bën apel qytetarëve që të mos lëvizin, pa pasur një arsye serioze, në këto ditë ku priten edhe rënie drastike të temperaturave.

Borëpastrueset janë në terren për mbajtjen hapur dhe të qarkullueshme “Rrugën e Kombit” dhe akset e tjera që lidhin Kukësin me Njësitë Administrative.