Historiku i Kukësit



Kukësi është qytet në Shqipërinë verilindore, i shtrire në koordinatat 42,08° V, 20,42° L. Është qendra e Qarkut Kukës. Shtrihet në rrëzë të Malit të Gjallicës dhe në breg të Liqenit të Fierzës, në Rrafshen e Lumës. Motoja e qytetit është “Qyteti i mikpritjes dhe bujarisë”.

Në vitin 2000 Kukësi u kandidua për Çmimin Nobel për Paqe me motivacionin e pritjes së mbi 450.000 shqiptarëve nga Kosova të dëbuar nga ushtria, paraushtarakët serbë dhe serbët e armatosur në Kosovë. Në vitin 2010, banorët e Kukësit u shpallën nga USAID, si më të lumturit e Shqipërisë.

Megjithëse zona e Kukësi është një vendbanim i hershëm historik, siç dëshmohet prej varreve ilire të zbuluara në fshatin Kënetë, Kukësi ose Kukësi i Ri është një ndër qytetet më të reja në Shqipëri.


  • Kukësi i Vjetër

    Shtrihej ne territoret e përmbytura nga ujërat e Liqenit të Fierzës. Shtrihej në një brezare të krijuar nga Drini i Zi dhe Drini i Bardhë. Një varg zbulimesh arkeologjike dëshmojnë banimin e pandërprerë të kësaj hapësire që nga neoliti e këtej. Mendohet se në territorin e Kukësit ka jetuar fisi ilir i Sikuliotëve. Bep Jubani banorët e Kukësit i quante “ilirët alpinë”. Përmendet së pari si fshat i Nahijes së Lumës, në vitin 1571 (me 9 shtëpi të krishtera dhe 3 të myslimanizuara). Në vitin 1591 Kukësi kishte 11 shtëpi të krishtera e 6 të myslimanizuara. Në vitin 1610, arqipeshkvi i Tivarit, M. Bici, e shënon Coccus, Vila di Cocus, me rreth 50 shtëpi, prej tyre 5 myslimane e të tjerat të krishtera (katolike) dhe si qendër peshkatare dhe e një garnizoni të avancuar turk. 30 vjet më vonë dëshmohet me 50 shtëpi, një kishë të rrënuar dhe shumicën e banorëve të myslimanizuar. Më 1633, P. Mazreku, edhe ky arqipeshkv i Tivarit, përmend Vaun e Kukut. Mortaja e vitit 1689, shoi shumë vendbanime dhe kjo bëri që kjo zonë të braktisej për një kohë të gjatë deri s në gjysmën e parë të shek. XVIII u ripopullua me banorë nga fshati Osmanaj me mbiemer Palushi,Riza palushi,Genc Palushi Patriot Palushi bile bile thone edhe per Bari palush Bicaj. Në këtë kohë u shfaq me emrin Drinabardh. Në vitin 1869 rishfaqet me emrin Kukusa.

    Në vitet 1912-1921 u pushtua nga serbët, bullgarët dhe austriakët. Mori pjesë në luftërat kundër forcave serbe në vitet 1912-1913. Shumë banorë të tij u masakruan nga forcat serbe. Në vitin 1921 deputeti i parë i Kukësit zgjidhet Mustafë Lita. Deri në vitin 1922, kur përfshihet në Prefekturën e Kosovës, ishte një qendër e vogël ku hani ishte institucioni më i madh publik. Në vitin 1923 u bë qendër krahinore me 28 shtëpi e 186 banorë. Në zgjedhjet e vitit 1923, fiton grupi i majtë me përfaqësues Avni Rustemin. Sulmohet më 16 Qershor 1924 nga forcat kryengritëse të Bajram Currit. Rimerret nga forcat qeveritare të Muharrem Bajraktarit në dhjetor 1924. Në Gusht 1925, shpallet qendër e Prefekturës duke zëvendësuar Krumën e Hasit. Në këtë periudhë, popullsia e Kukësit shtohet në mënyrë të konsiderueshme me ardhjen e qindra familjeve nga Gjakova dhe Prizreni. Ata sjellin me vete tregtinë dhe tradita të reja gatimi e shërbimi, e shumë zeje. Gjatë kësaj kohe vijnë dhe shumë familje nga Gora. Në fillimin e viteve 30 shpallet bashki.

    Në vitin 1935 shpërthen në Kukës, kryengritja anti-zogiste e drejtuar nga Muharrem Bajraktari. Shtypet me dhunë nga forcat qeveritare. Qyteti gjallërohet nga institucionet shtetërore, shkolla, shoqëria sportive Kosova, banda muzikore, enti kulturor Djelmnia Shqiptare, një rrjet shërbimesh publike dhe pazari i së dielës. Në mes të qytetit ngrihen ndërtesa e Prefekturës, busti i Mbretit Zog (zëvendësohet me bustin e Skënderbeut në vitin 1939), një lulishte dhe një pus. Fillon e merr pamje urbane. Në vitin 1938 kishte 1800 banorë.

    Pushtohet i fundit nga Italia Fashiste, më 14 Prill 1939. Në vitin 1940 lidhet me Shkodrën me rrugë automobilistike. Po në këtë vit rikthehet në Shqipëri Muharrem Bajraktari i cili drejton rezistencën e armatosur antifashiste në Kukës. Në Shtator 1943 Muharrem Bajraktari në krye të 2500 forcave e çliron nga pushtimi italian. Disa ditë më vonë mbërrijnë pushtuesit gjermanë. Fillon aktivitetin e vet celula e parë komuniste. Në Gusht 1944, me provokimin e forcave partizane shpërthen në Kukës, lufta civile.

    Më 18 Nëntor 1944, forcat gjermane largohen nga qyteti dhe hyjnë forcat partizane të Brigadës XVIII sulmuese. Në dhjetor 1944 vendoset administrata e re e Prefekturës. Rindërtohet ura mbi Drinin e Zi. Rihapet tregu. Hapet Shtëpia e Rinisë. Fillon punën spitali civil. Në vitin 1946, qyteti furnizohet me dritë elektrike me anën e një motori tanku të adaptuar. Lidhet me rrugë automobilistike me Peshkopinë. Hapen shkolla unike dhe konvikti. Krijohen ndërmarrja tregtare dhe kooperativat artizanat, konsum dhe shitblerje. Në vitin 1949, krijohet dega e Bankës Shtetërore. 1950-1962 rritet ndjeshëm popullsia me banorë të ardhur nga fshatrat. Hapet Shtëpia e Kulturës. Në vitin 1954 fillon punën kinemaja. Në vitin 1956, hapet gjimnazi. Në vitin 1958 ndërtohet ujësjellësi. Në vitin 1959, krijohet estrada profesioniste, kurse në vitin 1960 ngrihet Radio Kukësi dhe hapet shkolla pedagogjike 2-vjeçare. Fillon punën biblioteka e qytetit. Ngrihen Muzeu lokal dhe teatri i kukullave në vitin 1960. Niveli ekonomik i qytetarëve mbetej i ulët. Më 31 mars 1962 u vendos përmbytja e Kukësit të Vjetër dhe ndërtimi i Kukësit të Ri. Më 22 korrik 1962 filluan punimet për ndertimin e Kukësit të ri. Fillon jeta paralele e dy qyteteve. Në 1970 Kukësi kishte 6073 banorë. Në 1978 Kukësi i Vjeter ua la vendin ujërave të liqenit të Fierzës.

  • Kukësi i Ri

    Më 31 mars 1962 u vendos përmbytja e Kukësit të Vjetër dhe ndërtimi i Kukësit të Ri. Më 22 korrik 1962 filluan punimet për ndertimin e Kukësit të ri. Në prill të 1965 filloi popullimi i tij. Në vitin 1978 e tërë popullsia vendoset në qytetin e ri. Në Gusht 1988 varet në qendër të qytetit poeti disident Havzi Nela. Më 5 Janar 1991 krijohet dega e Partisë Demokratike për Kukësin. Në 11-12 Mars 1997 banditë të armatosur sulmojnë depot e armatimit të ushtrisë në rrethinat e Kukësit dhe repartet ushtarake nëpër fshatra. Qyteti mbushet me njerëz të armatosur duke shtyrë qytetarët e Kukësit të armatosen për vetëmbrojtje. Me 12 Mars 1997 përhapet lajmi se ushtria serbe po përparonte drejt Kukësit, që çoi në largimin e shumicës së popullsisë së qytetit, përveç një pjese të vogël që qëndruan për mbrojtjen e qytetit. Disa ditë më vonë grupe të armatosura të ardhura nga fshatrat përreth, sulmojnë bizneset në qytet; vritet një nga sulmuesit, duke sjellë dhe fundin e plaçkitjeve në qytet. Në vitin 1999, Kukësi pret afro 450.000 shqiptarë nga Kosova të dëbuar nga ushtria dhe paraushtarakët serbë. Përjeton periudhën më të vështirë në historinë e tij duke u përballur dhe me bombardimet serbe në kodrat përreth qytetit. Në vitin 2000 kandidohet për Çmimin Nobel për paqe duke u bërë i pari qytet në botë i kandiduar për një çmim të tillë. Në vitin 2004 përfundon ndërtimi i Aeroportit të Kukësit. Në vitin 2010 përfundon ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës që lidh më shpejt Kukësin me Tiranën.


  • Gjeografia

    Qyteti i Kukësit shtrihet në pjesën verilindore të Republikës së Shqipërisë. Është qytet që kufizohet në Veri-Lindje dhe Lindje me qytetin e Prizrenit (Kosovë) ku si pikë kontakti është dogana e Morinës, dhe në brendësi të territorit Shqiptar kufizohet me Hasin në veri, Pukën në perëndim dhe Peshkopinë në Jug. Kukësi ose Kukësi i Ri është vendosur në këmbë të malit të Gjallicës (2487 m) dhe është një ndër qytetet më të reja në Shqipëri. Përfundoi së ndërtuari në vitin 1976, dhe vendin e Kukësit të Vjetër e zuri hapësira ujore prej 72,5 km² e liqenit artificial të Fierzës, i cili u ndërtua si rezultat i ndërtimit të Hidrocentralit me po të njëjtin emër. Baseni i këtij liqeni furnizohet nga dy lumenj të rëndësishëm, Drini i Zi (buron në liqenin e Ohrit) dhe Drini i Bardhë (buron në Malet e Rugovës, Kosovë), të dy këto degë formojnë Lumin Drin, më të gjatin në Shqipëri me 280 km i cili derdhet në Detin Adriatik nëpërmjet Gjirit të Lezhës. Bashkimi i dy Drinave i kanë dhënë Kukësit formën e një gadishulli, gjë që i jep një pamje shumë piktoreske.

    Ka një shtrirje veri-jug prej 1,4 km dhe lindje-perëndim prej 0,9 km. Ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 150 ha dhe lartësi mesatare 320-350 m mbi nivelin e detit.

  • Klima

    Klima karakterizohet nga një dimër i ashpër dhe një verë e nxehtë. Temperatura mesatare vjetore në rrethin e Kukësit sillet rreth 11,9 °C. Temperaturat mesatare ekstreme sillen nga 3,9 deri 25,4 °C. Reshjet vjetore mesatare sillen nga 800 deri në 1100 mm. Shpejtësia mesatare e erës është 3,5 m/s në dimër, 3,1 m/s në pranverë dhe 2,3 m/s në vjeshtë. Trashësia e shtresës së borës është në varësi të drejtpërdrejtë me lartësinë mbi nivelin e detit dhe nga ekspozimi i shpateve. Zakonisht ajo lëviz nga 40 cm deri në 200 cm. Shtresa e dëborës mesatarisht zgjat 35-40 ditë.