Kryetari i Bashkisë, Z. Bashkim Shehu priti sot në një takim Shefen e Bankës Botërore në Shqipëri, Znj. Maryam Salim.

Znj. Salim është Përfaqësuesja e re e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri dhe zotëron rreth njëzet vjet eksperiencë pune në Bankën Botërore, kohë gjatë së cilës ka kryesuar në një sërë iniciativash që lidhen me reforma programesh e politikash.

 

Takimin me Znj. Salim kryetari Shehu e shfrytëzoi për ti prezantuar potencialet e shumta që ka Kukësi për zhvillim dhe pikat kryesore në të cilat është përqëndruar Bashkia e Kukësit.

“Kukësi është ndër zonat më të pasura në Shqipëri përsa i përket pasurive mbi e nën tokësore. Mundësitë për turizëm, qoftë liqenor apo malor, janë të jashtëzakonshme. Në bujqësi, veç bimëve medicinale, kemi pataten dhe gështenjën, produkte bio të cilësisë së lartë. Kromi dhe Hekur-nikeli janë disa nga pasuritë nëntokësore të Kukësit. Pavarësisht kësaj, Kukësi, banorët e tij, janë ndër më të varfërit në Shqipëri. Nga shfrytëzimi i të gjitha këtyre pasurive Kukësi nuk përfiton pothuajse asgjë. Edhe ndarja territoriale dhe mungesa e kompetencave kanë ndikuar në këtë situatë, prandaj kërkojmë nga Banka Botërore që ti shikojë me vëmendje këto mundësi e të na ndihmojë me investime, sidomos në fushën e turizmit e të bujqësisë”– tha ndër të tjera kryebashkiaku Shehu.

Pas takimit, në prononcimin për mediat, Shefja e Bankës Botërore, Znj. Maryam Salim tha se:

“Kukësi është një qytet mjaft i bukur dhe zona në përgjithësi ka potenciale të mëdha për zhvillim, sidomos në fushën e turizmit dhe bujqësisë. Patatja, gështenja por edhe zhvillimi i turizmit malor janë disa nga pikat kryesore që mund të veçojmë nga takimi me Z. Shehu, për të cilat ka hapësira të mëdha për zhvillimin e tyre. Njerëzit këtu janë të përkushtuar dhe urojmë që të ketë zhvillime të mëtejshme.”

Gjatë vizitës në Kukës, Znj. Salim e shoqëronin Evis Sulko – Specialiste e Lartë për Projektet, Drita Dade – Specialiste e Lartë e Menaxhimit të Burimeve Natyrore dhe Gazmend Daci – Specialist i Lartë për Energjinë.