Grupi i Task Forcë i ngritur nga Ujësjellës Kanalizime Kukës vazhdon punën në terren për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit. Prej ditësh puna është përqëndruar në fshatin Nangë dhe deri tani numri i ndërprerjeve është rreth 195.

Ditët në vijim aksioni do të zhvendoset në fshatin Krenzë e për të vazhduar në gjithë gjatësinë e linjës së ujësjellësit deri në Kukës.

Gjatë muajit Shtator intensiteti i punës së Task Forcës së ujësjellësit do të jetë dhe më i lartë për shkak se pjesë e kontrolleve do të jenë edhe lavazhet që përdoin ujin e pijshëm, lokalet dhe çdo subjekt apo shpërdorues i ujit.
Paralelisht me ndërprerjet e lidhjeve të paligjshme po merren masa edhe për formalizimin e abonentëve me linja të rregullta e me matësa të ujit.

Edhe pse në kushtet e një thatësire ekstreme, ujësjellësi i Kukësit po menaxhon mjaft mirë sasinë e ujit, duke arritur të bëjë një furnizim të rregullt të qytetarëve si asnjëherë tjetër.

Ujësjellësi i Kukësit kërkon mirëkuptimin e banorëve dhe apelon për bashkëpunim në këtë nismë që synon përmirësimin e shërbimit dhe furnizimit me ujë, në të njejtën kohë kërkon që çdo abonent ti drejtohet arkës së ujësjellësit për të paguar detyrimet.