Me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në strehimin e bashkombasve, e vëllezërve dhe motrave nga Kosova gjatë viteve të luftës 1998-1999” Presidenti i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e tij Z. Hashim Thaçi nderoi banorët e Kukësit me çmimin e lartë “Urdhri i Lirisë”.

“Urdhri i Lirisë” iu dorëzua Kryetarit të Bashkisë Kukës, Z.Bashkim Shehu në ceremoninë e organizuar për këtë qëllim.

“Kukësi gjithmonë ka qënë vend i afrimit të njerëzve, i bashkimit të njerëzve dhe epiqendra e shumë zhvillimieve për liri dhe pavarsi edhe të Shqipërisë por edhe të Kosovës. Ndihem shumë i nderuar që përsëri jemi këtu bashkë për të falenderuar dhe shprehur respektin më të lartë për autoritetet e Kukësit, për çdo familje dhe çdo qytetar, sepse edhe Kukësi, Hasi, Tropoja, gjithë kjo zonë kufitare, janë heronj të lirisë së Kosovës”– tha në fjalën e tij Presidenti i Republikës së Kosovë, Z.Hashim Thaçi.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë, Z.Bashkim Shehu duke falenderuar Presidentin Thaçi për vlerësimin që i bëhet qytetit dhe banorëve të Kukësit tha:

“Jo vetëm Kukësi, por i gjithë Qarku i Kukësit kreu detyrën ndaj vëllezërve kosovarë, detyrimet shumë shekullore që kemi ndaj njëri-tjetrit. Nderi më i lartë i vjen sot Kukësit nga Kosova, mirënjohja vjen pikërisht nga vendi që përjetoi ato ngjarje dramatike. Kjo merr rëndësi të veçantë, Kosova di të nderojë, Kosova nuk harron të kaluarën e vet, Kosova nuk harron Kukësin dhe kuksianët.”

Ceremonia u shoqërua edhe me valle tradicionale e këngë patriotike të përgatitura nga Qendra Kulturore e Bashkisë ne bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve.