Me ftesë të Kryetarit të Bashkisë z.Bashkim Shehu, Ambasadori i Japonisë në vendin tonë, z.Makoto Ito ishte për vizitë në Kukës.



Në takimin me Kryetarin e Bashkisë u diskutua rreth krijimit të urave të bashkëpunimit dhe mbështetjes për Bashkinë e Kukësit. Kryebashkiaku Shehu e njohu me situatën e Kukësit dhe potencialet e shumta për zhvillim, qoftë në industrinë e rëndë, hidrike por edhe potencialet turistike.

Kryetari i Bashkisë bëri një përmbledhje të punës dhe shërbimeve të bashkisë, projektet e realizuara dhe problematikat me të cilat përballet sot Kukësi.



Ambasadori i Japonisë vlerësoi ftesën e Kryetarit të Bashkisë duke e konsideruar një privilegj për të qenë në Kukës.

I njohur me situatën dhe problemet e prezantuara nga Kryetari Shehu, diplomati japonez garantoi për mbështetje.

“Pozita gjeografike e Kukësit, ndërthurur me autostradën, aeroportin dhe Kosovën, është mjaft favorizuese për zhvillimin ekonomik dhe një mundësi e mirë për thithjen e investitorëve dhe kompanive japoneze” – tha Ambasadori Makoto Ito.




Gjithashtu Ambasadori Ito tha se do të jetë mbështetës i projekteve të infrastrukturës për pastrimin e qytetit dhe menaxhimin e mbetjeve.

Kryetari i Bashkisë e cilësoi si mjaft frytdhënës këtë takim, duke vlerësuar eksperiencën e madhe që ka Japonia si një prej ekonomive më të zhvilluara të botës e si një partner strategjik për Shqipërinë e në veçanti për Kukësin.