Historiku i Kukësit

Kukësi është qytet në Shqipërinë verilindore, i shtrire në koordinatat 42,08° V, 20,42° L. Është qendra e Qarkut Kukës. Shtrihet në rrëzë të Malit të Gjallicës dhe në breg të Liqenit të Fierzës, në Rrafshen e Lumës. Motoja e qytetit është “Qyteti i mikpritjes dhe bujarisë”.

Në vitin 2000 Kukësi u kandidua për Çmimin Nobel për Paqe me motivacionin e pritjes së mbi 450.000 shqiptarëve nga Kosova të dëbuar nga ushtria, paraushtarakët serbë dhe serbët e armatosur në Kosovë.

Megjithëse zona e Kukësi është një vendbanim i hershëm historik, siç dëshmohet prej varreve ilire të zbuluara në fshatin Kënetë, Kukësi ose Kukësi i Ri është një ndër qytetet më të reja në Shqipëri.

 

– KUKËSI I VJETËR

Shtrihej në territoret e përmbytura nga ujërat e Liqenit të Fierzës, në një brezare të krijuar nga Drini i Zi dhe Drini i Bardhë. Një varg zbulimesh arkeologjike dëshmojnë banimin e pandërprerë të kësaj hapësire që nga neoliti e këtej.

Mortaja e vitit 1689 shoi shumë vendbanime .Kjo bëri që zona të braktisej për gati një shekull, derisa në gjysmën e parë të shekullit të VIII u ripopullua nga vellezëri: Elezaj , Zenel-Liman, Adem-Dulla, Ali-Hasa, që u shpërngulën nga fshatrat e Bicajve. Nga mesi i shekullit të 18-të ato u vendosën përfundimisht në gropën ndërmjet Drinit te Zi dhe Drinit te Bardhë, duke rikrijuar vendbanimin e Kukësit.

Në vitet 1912-1921 u pushtua nga serbët, bullgarët dhe austriakët. Mori pjesë në luftërat kundër forcave serbe në vitet 1912-1913. Shumë banorë të tij u masakruan nga forcat serbe.

Në vitin 1921 deputeti i parë i Kukësit zgjidhet Mustafë Lita.

Në vitin 1923 u bë qendër krahinore me 28 shtëpi e 186 banorë.

Në Gusht 1925, shpallet qendër e Prefekturës duke zëvendësuar Krumën e Hasit. Në këtë periudhë, popullsia e Kukësit shtohet në mënyrë të konsiderueshme me ardhjen e qindra familjeve nga Gjakova dhe Prizreni. Ata sjellin me vete tregtinë dhe tradita të reja gatimi e shërbimi, e shumë zeje. Gjatë kësaj kohe vijnë dhe shumë familje nga Gora.

Në fillimin e viteve 30 shpallet bashki.

Në vitin 1935 qyteti gjallërohet nga institucionet shtetërore, shkolla, shoqëria sportive Kosova, banda muzikore, enti kulturor  Djelmnia Shqiptare, një rrjet shërbimesh publike dhe pazari i së dielës. Në mes të qytetit ngrihen ndërtesa e Prefekturës,

Në kohën e mbretërisë shqipëtare qyteti u lidh me rrugë automobilistike me Prizerenin në vitin 1935, me Bicajt në vitin 1936, me Shkodrën në vitin 1938. Pikërisht kjo lidhje me rrugë automobilistike bëri që numri i banorëve të qytetit të dhjetëfishohej .

14 Prill 1939 pushtohet nga Italia Fashiste.

18 Nëntor 1944, forcat gjermane largohen nga qyteti dhe hyjnë forcat partizane të Brigadës XVIII sulmuese

Dhjetor 1944 vendoset administrata e re e Prefekturës. Rindërtohet ura mbi Drinin e Zi. Rihapet tregu. Hapet Shtëpia e Rinisë. Fillon punën spitali civil.

1946, qyteti furnizohet me dritë elektrike. Lidhet me rrugë automobilistike me Peshkopinë. Hapen shkolla unike dhe konvikti. Krijohen ndërmarrja tregtare dhe kooperativat artizanat, konsum dhe shitblerje.

1949, krijohet dega e Bankës Shtetërore.

1950-1962 rritet ndjeshëm popullsia me banorë të ardhur nga fshatrat. Hapet Shtëpia e Kulturës.

1954 fillon punën kinemaja.

1956, hapet gjimnazi.

1958 ndërtohet ujësjellësi.

1959, krijohet estrada profesioniste.

1960 ngrihet Radio Kukësi dhe hapet shkolla pedagogjike 2-vjeçare. Fillon punën biblioteka e qytetit. Ngrihen Muzeu lokal dhe teatri i kukullave në vitin. Niveli ekonomik i qytetarëve mbetej i ulët.

31 mars 1962 u vendos përmbytja e Kukësit të Vjetër dhe ndërtimi i Kukësit të Ri.

22 korrik 1962 filluan punimet për ndertimin e Kukësit të ri. Fillon jeta paralele e dy qyteteve.

1970 Kukësi kishte 6073 banorë.

1978 Kukësi i Vjeter përmbytet nga ujërat e liqenit të Fierzës.

– KUKËSI I RI

22 korrik 1962 filluan punimet për ndertimin e Kukësit të ri.

Prill 1965 filloi popullimi i tij.

1978 e tërë popullsia vendoset në qytetin e ri, përururohen dy urat e mëdha, mbi Drinin e Zi dhe Drinin e Bardhe që do të lidhnin qytetin e Kukësit të Ri me Tiranën dhe Hasin.

 

Periudha e demokracise

Shqiptarët të nxitur nga ngjarjet në Evropën Lindore por edhe nga gjendja e vështirë e të izoluar në të cilën ndodhej vendi nga politikat e gabuara të qeverisë filluan të kundërshtonin regjimin komunist

Dhjetor 1990  Demostrata antikomuniste zhvillohen në gjithë vendin.

8 Dhjetor 1990  Studentët e Universitetit të Tiranës formojnë Partinë Demokratike të Shqipërisë, e para parti opozitare pas afro 50 vitesh.

5 Janar 1991   Formohet Partia Demokratike ne Kukës

31 Mars 1991  Mbahen zgjedhjet e para pluraliste.

27 Mars 1999  mijëra kosovarë të dëbuar prej trojeve të tyre, kaluan doganën e Morinit. Qarku i Kukësit i mirëpriti dhe i strehoi në shtëpitë e tyre gjatë luftës me Serbinë.

Në fillim të vitit 2000,  qyteti i Kukësit kandidohet për Çmimin Nobel për paqe duke u bërë i pari qytet në botë i kandiduar për një çmim të tillë për pritjen e madhe qëi bëri popullit kosovar.

31 Tetor 2006,  përfundon ndërtimi i Aeroportit të Kukësit, punimet e të cilit kishin filluar në Maj të 2003, me kontributin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe mban emrin  “Zajed Bin Sultan Al-Nahyan”

Qershor 2009  përurohet Rruga e Kombit,  (autostrada Durres – Kukës – Morine)

2004 përfundon ndërtimi i Aeroportit të Kukësit.

2010 përfundon ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës që lidh më shpejt Kukësin me Tiranën.

– GJEOGRAFIA

Qyteti i Kukësit shtrihet në pjesën verilindore të Republikës së Shqipërisë. Është qytet që kufizohet në Veri-Lindje dhe Lindje me qytetin e Prizrenit (Kosovë) ku si pikë kontakti është dogana e Morinës, dhe në brendësi të territorit Shqiptar kufizohet me Hasin në veri, Pukën në perëndim dhe Peshkopinë në Jug. Kukësi ose Kukësi i Ri është vendosur në këmbë të malit të Gjallicës (2487 m) dhe është një ndër qytetet më të reja në Shqipëri. Përfundoi së ndërtuari në vitin 1976, dhe vendin e Kukësit të Vjetër e zuri hapësira ujore prej 72,5 km² e liqenit artificial të Fierzës, i cili u ndërtua si rezultat i ndërtimit të Hidrocentralit me po të njëjtin emër. Baseni i këtij liqeni furnizohet nga dy lumenj të rëndësishëm, Drini i Zi (buron në liqenin e Ohrit) dhe Drini i Bardhë (buron në Malet e Rugovës, Kosovë), të dy këto degë formojnë Lumin Drin, më të gjatin në Shqipëri me 280 km i cili derdhet në Detin Adriatik nëpërmjet Gjirit të Lezhës. Bashkimi i dy Drinave i kanë dhënë Kukësit formën e një gadishulli, gjë që i jep një pamje shumë piktoreske.

Ka një shtrirje veri-jug prej 1,4 km dhe lindje-perëndim prej 0,9 km. Ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 150 ha dhe lartësi mesatare 320-350 m mbi nivelin e detit.

– KLIMA

Klima karakterizohet nga një dimër i ashpër dhe një verë e nxehtë. Temperatura mesatare vjetore në rrethin e Kukësit sillet rreth 11,9 °C. Temperaturat mesatare ekstreme sillen nga 3,9 deri 25,4 °C. Reshjet vjetore mesatare sillen nga 800 deri në 1100 mm. Shpejtësia mesatare e erës është 3,5 m/s në dimër, 3,1 m/s në pranverë dhe 2,3 m/s në vjeshtë. Trashësia e shtresës së borës është në varësi të drejtpërdrejtë me lartësinë mbi nivelin e detit dhe nga ekspozimi i shpateve. Zakonisht ajo lëviz nga 40 cm deri në 200 cm. Shtresa e dëborës mesatarisht zgjat 35-40 ditë.

Shpërndaj