Fondi Social për shërbime me bazë komunitare

Ky projekt propozimi u hartuar në përputhje me qëllimin e Fondit Social për shërbime me bazë komunitare:

Kontribuimi drejtpërsëdrejti në ofrimin e shportës së shërbimeve të kujdesit social për kategoritë në nevojë në nivel lokal, të përcaktuara në VKM 518/2018, përmes zbatimit të ngritjes së shërbimeve të reja ose përmirësimin e shërbimeve ekzistuese, si pjesë e planeve sociale të bashkive.

Objektivat e projektit me temë “Ngritja dhe funksionimi i strehësës së emergjencës për gratë dhe vajzat e dhunuara” janë në përputhje me:

  • Një nga parimet kryesore që udhëheqin Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Plani i Veprimit 2016 – 2020: “Tolerancë zero kundrejt dhunës ndaj grave e dhunës në familje Koordinimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional”.
  • Qëllimin Strategjik 3: “Reduktimi i dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje”, të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore,
  • Me Planin Social të Bashkisë Kukës 2019 -2022: Objektivi nr 3.5 “Inkurajimi i grave për të qenë të përfshira në vendimmarrje dhe për të raportuar rastet e shkeljes së drejtave të tyre

Në planin Social të Bashkisë Kukës është parashikuar funksionimi i Njësisë së Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit të Rasteve si strukturë e posaçme e cila do të përbëhet nga 5 Punonjës Socialë dhe Psikologë të kualifikuar.

Ndërsa në një hark kohor me afatgjatë 2019 – 2022 parashikohet ngritja e Njësisë së Operatorëve Social për Asistencën Shtëpiake e cila do të funksionojë për çdo të moshuar me probleme social ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuara, gra e vajza viktima të dhunës dhe trafikimit. Kjo Njësi do të ofrojë Shërbime individuale në familje (asistencë shtëpiake, përkujdesje vetjake, këshillim psikologjik, social dhe ligjor), për të moshuar dhe PAK në nevojë, viktima të dhunës etj.

Që nga muaji tetori 2007 në Bashkinë Kukës funksionon Qendra e Shërbimeve Sociale (QSHS), e cila ofron shërbime për shtresat në nevojë dhe ka personel të kualifikuar me 2 punonjëse sociale në Njësinë për mbrojtjen e fëmijëve, 1 punonjës për dhunën dhe barazinë gjinore, 1 punonjës social për të moshuarit, 2 punonjës socialë që mbulojnë problematikat në Njësitë Administrative, 1 psikologe, 3 logopedisë, 2 kujdestarë. 1 specialist për çështjet e strehimit. Në këtë qendër funksionon që nga dhjetori 2008 qendra ditore për personat me aftësi ndryshe dhe klubi i pensionistëve ku mosha e tretë kalon një pjesë të mirë të ditës duke u marrë me aktivitete të ndryshme si lojëra në tavolinë, shikim televizori si dhe shtypi i ditës i cili u ofrohet pa pagesë. Po ashtu është bërë e mundur që pas rikonstruksionit të plotë të qendrës që nga viti 2018 të kemi një shërbim terapeutik individual për fëmijë me çrregullime të spektrit të autizmit. Kësaj qendre i mungon një ambient për strehimin e grave dhe vajzave të dhunuara që kanë nevojë për mbrojtje.

Nisur nga problematikat dhe nevojat për ndërhyrje, ky propozim i adresohet grave dhe vajzave të dhunuara të cilat nuk kanë një strehë mbrojtje në rast së ato denoncojnë rastin.

Ndërtimi i strehës për gratë dhe vajzat e dhunuara që synojmë me anë të këtij projekti ka për qëllim të ofrojë standarde të rritura dhe të përmirësuara të akomodimit, sigurisë dhe shërbimeve të tjera mbështetëse për gratë dhe vajzat që përjetojnë abuzim fizik dhe psikologjik e seksual dhe që janë në rrezik nga ambienti i tyre i ngushtë familjar. Dhuna mund të shkaktojë dëmtime të konsiderueshme dhe afatgjata, fizike dhe psikologjike, të cilat janë të vështira për tu shëruar, veçanërisht për kategorinë e femrave që jetojnë në mjedis me mentalitet ku mbizotëron gjinia mashkullore. Gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë në familje, mund të vuajnë dëmtime serioze jo vetëm fizike dhe psikologjike.

Shpërndaj