Projekti “Parku i Aventurës në Shishtavec” është një projekt i fituar nga bashkia Kukës në kuadër të Skemës së Granteve të Zhvillimit Rajonal dhe Kohezionit të Programit (PZHRSH).
Parteri në këtë projekt është DMO-Kukës, e cila ka eksperiencë në menaxhimin e destinacioneve turistike dhe do të nxisë dhe mundësojë kontrata me operatorë të ndryshëm turistik me qëllim përfshirjen e parkut në turet e tyre turistike. Gjithashtu do të trajnoj dhe stafin që do të merret me menaxhimin e parkut si dhe do te hartoj rregulloren e brendshme të funksionimit të parkut.
Objektivi i përgjithshëm është:
- Të kontribuoj në rritjen e potencialit ekonomik në zonën e Shishtavecit, përmes promovimit të zonës nëpërmjet krijimit të hapësirave për zhvillimin e turizmit të aventurës dhe sporteve
Objektivat specifikë janë:
- Të zgjerojë ofertën turistike përmes zhvillimit të aktiviteteve të aventurës dhe sporteve të ndryshme.
- Të thellojë kërkesën turistike në zonë duke rrit kapacitetet akomoduese.
- Të përmirësoj aksesimin në informacion për vizitorët e zonës, në lidhje me vendndodhjen e parkut të aventurës për aktivitetet sportive.
Grupet kryesore të aktorëve:
- Bashkia Kukës/Sektori i Turizmit dhe Planifikimit të territorit: Këta dy sektorë do të përfshihen drejtpërdrejt në zbatimin e projektit dhe në veprimet e ndërmarra për ngritjen e parkut të aventurës.
- Njësia Administrative Shishtavec: NJQV Shishtavec do të ndërtojë kapacitete të mëtejshme në drejtim të menaxhimit të turizmit.
- Turistët: Mbi 10,000 vizitorë ditor apo me qëndrim 1 natë dhe të pasionuarit pas sporteve janë përfituesit e drejtpërdrejtë pasi do të mund jo vetëm të shijojnë monumentet natyrore dhe traditat e zonës por edhe të argëtohen në parkun e aventurës.
- Komuniteti i shtrirë në të dy anët e kufirit: 5,800 banorë të NJQV Shishtavec dhe 34,827 banorë nga Komuna e Dragashit do të përfitojnë nga ngritja e parkut dhe funksionimi i tij, pasi kjo çon dhe në rritjen e ekonomisë në zonë dhe si rrjedhim mundësi më të mëdha për banorët për punësim dhe argëtim.
- Bizneset lokale: do të mund të zgjerojnë aktivitetin e tyre përreth parkut të aventurës pasi rritet dhe numri i frekuentueseve. Aktualisht në Shishtavec janë 7 biznese, por ky numër do të vij në rritje si pasojë e vënies në shfrytëzim të parkut dhe nevojave që do të kenë turistët për shërbime.
- Operatorët që lidhen më shërbimet turistike: do të përfshijnë parkun e aventurës në paketat e tyre turistike duke zgjeruar në këtë mënyrë dhe numrin e destinacioneve për Rajonin e Kukësit.
Rezultatet e pritshme janë si më poshtë:
- 428 m² sipërfaqe e rehabilituar përreth Qendrës së Informacionit Turistik
- 1 park i aventurës i ngritur dhe i pajisur me objekte për aktivitete argëtuese dhe sporteve për grupmosha të ndryshme
- 4 (katër) shtëpiza të vendosura brenda zonës së parkut
- 2 aktivitete promovuese me nxënësit nga shkolla e Bashkisë
- Të paktën 2 kontrata me operatorët turistik, të cilët do të bëjnë pjesë të paketës së tyre parkun e aventurave në Shishtavec.
Aktivitetet e parashikuara përfshijnë:
Takim informues me të gjithë aktorët lokal për ti njohur më ekzistencën e projektit dhe rolin që do të kenë aktorë të ndryshme. Ky aktivitetet do të mbulohet nga shpenzimet e Bashkisë Kukës. Projekti do të përmbyllet me inaugurimin e parkut. Ky aktivitet do të shoqërohet me promovimin e parkut në mediat lokale të Bashkisë Kukës.
Komponenti A: Ngritja dhe funksionimi i Parkut të Aventurës
Komponenti B: Rritja e kapaciteteve akomoduese në Shishtavec
Komponenti C: Promovimi
Kohëzgjatja totale e projektit pritet të jetë 10 muaj. Gjatë fazës së parë (8 muaj), përparësi do ti jepet fillimit të procedurave të prokurimit për blerjen e pajisjeve, objekteve dhe instalimit të tyre në park. Gjatë fazës së dytë (2 muaj), fokusi do të jetë në aktivitetet me të rinj nga shkollat e bashkisë Kukës me qëllim njohjen dhe promovimin e zonës në drejtim të zhvillimit të turizmit.