Prezantimi hartimit të Projekt Buxhetit të Bashkisë Kukës për vitin 2021 dhe Projekt Buxhetit Afatmesëm (PBA) 2021-2023, realizohet në një vit me të vërtetë të vështirë në aspektin shëndetësor, social dhe ekonomik shkaktuar nga pandemia e corona virusit dhe në këto kushte vështirësitë kanë qenë të mëdha si në aspektin e planifikimit, pasi pjesëmarrja e publikut ka qenë mjaft e reduktuar, por edhe në aspektin e zbatimit të buxhetit.
Bashkia Kukës përbëhet nga 15 ndarje administrative, të cilat janë: Qendra e Bashkisë Kukës, Njësitë Administrative Malzi, Bicaj, Ujmisht, Tërthore, Shtiqën, Zapod, Shishtavec, Topojan, Bushtricë, Grykë-Çajë, Kalis, Surroj, Arrën dhe Kolsh. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e Bashkisë Kukës dhe pjesë përbërëse e Qarkut Kukës. Bashkia Kukës ka nën administrimin e saj një qytet dhe 87 fshatra, ku zhvillimi i vizionit të Bashkisë Kukës bën të mundur që ndryshimet që egzistojnë në mes lagjeve, fshatrave dhe njësive të ndryshme, të mund të minimizohen dhe zhvillimi ekonomik të jetë i drejtë dhe i barabartë.
Kufizimi i takimeve publike për Projekt Buxhetin e Bashkisë Kukës si dhe planifikimi me rezerva i burimeve të brendëshme financiare në periudhën afatmesme, bëjnë të mundur pakësimin në planifikimin e shpenzimeve korrente dhe kapitale të Bashkisë për vitet 2021-2023 në raport me ato të premtuara më parë nga ana jonë.
I gjithë proçesi i hartimit të buxhetit afatmesëm trevjeçar 2021-2023, është plotësisht konform Planit të Përgjithshëm Vendor, Strategjisë së Zhvillimit të Bashkisë Kukës dhe është pjesë përbërëse e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit.