Diaspora

Bashkia Kukës ka përmbyllur me sukses Forumin Dy-Ditor të Komunitetit
dhe Biznesit, i zhvilluar më 19–20 Nëntor, në bashkëpunim të
ngushtë me IOM Albania dhe me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë
së Bashkuar, si pjesë e projektit “Forcimi i kapaciteteve
institucionale vendore për migracionin në Shqipëri”.

Ky forum mblodhi së bashku qytetarë, emigrantë të rikthyer,
sipërmarrës vendorë dhe aktorë të tjerë që po japin kontribut në
zhvillimin social e ekonomik të Kukësit përmes krijimit të vendeve
të punës, ideve inovative dhe përvojës së fituar jashtë vendit.
Në diskutime morën pjesë edhe përfaqësues nga institucionet
kombëtare dhe vendore, të cilët sollën perspektiva të rëndësishme
mbi politikat e migracionit dhe zhvillimit vendor.

Gjatë forumit u trajtua me rëndësi të veçantë edhe formalizimi i
marrëdhënieve të bashkëpunimit mes Bashkisë Kukës dhe diasporës
kuksiane, duke nxjerrë në pah rolin e tyre të çmuar në zhvillimin e
qytetit. U theksua angazhimi i ndërsjellë për të ndërmarrë hapa
konkretë në vazhdimësi, me synimin për të ndërtuar një strukturë
më të qëndrueshme komunikimi dhe bashkërendimi me diasporën.

Forumi shërbeu gjithashtu si një hapësirë e rëndësishme diskutimi
mbi draft-Paktet Ndërbashkiake për Punësim, të cilat po përgatiten
në kuadër të projektit të IOM dhe që synojnë të forcojnë rolin e
bashkive në qeverisjen e migracionit dhe nxitjen e lëvizshmërisë së
rregullt e të qëndrueshme të fuqisë punëtore brenda vendit.

Në kuadër të forumit, u zhvilluan gjithashtu vizita studimore në dy
biznese të migrantëve të rikthyer, për tu njohur me qasjet, sfidat,
mundësitë dhe investimet e kryera nga ata, në Kukës.

Bashkia Kukës mbetet e përkushtuar të ndërtojë partneritete të
forta dhe politika të qëndrueshme që mbështesin qytetarët tanë,
zhvillimin vendor dhe angazhimin e diasporës në vijim.

Shpërndaj