HISTORI E FORMIMIT TË KLUBIT TË QYTETIT

Historia e Klubit të Futbollit “Kukësi” e ka zanafillën që në vitin 1930, ateherë kur Shqipëria po përpiqej të krijonte fizionominë e vetë në sport. Që me krijimin e Federatës Shqiptare të Futbollit në vitin 1932, “Kosova” e Kukësit u bë anëtare e saj. Në vitin 1967 dhe më pas, vazhdimisht ka qëndruar në Kategorinë e Dytë dhe rrallë në të tretën. Pas viteve 90-të iu hoq emri “Përparimi” dhe iu dha emri i qytetit, thjesht “Kukësi” . Ndryshimi i emrit u bë edhe në vitin 2000, duke ia rikthyer “Përparimi” siç e kishte patur për një kohë të gjatë, por sërish pas disa vitesh klubi i futbollit emërtohet FK Kukësi. Në sezonin 2010-2011, Kukësi u ngjit në Katëgorinë e Parë ndërsa në vitin 2012 për të parën herë në Superligë. Në debutimin e tij të parë në Superligë, në sezonin futbollistik 2012-2013, ekipi i Kukësit arriti rezultate mjaft të mira duke u shpallur nënkampion i Shqipërisë dhe duke dalë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Në fushën e tij ekipi nuk u mund asnjëherë. Ekipi i drejtuar nga Armando Cungu dhe i mbështetur fuqimisht nga Presidenti Safet Gjici, tejkaloi çdo parashikim dhe shkoi deri në play-off në Europa Ligë. Në turin e parë Kukësi eleminoi F.C.Flora të Tallinn të Estonisë me rezultatet 1-1 në Tallinn me 4 Korrik 2013 dhe duke barazuar me 11 të po atij muaji në Tiranë 0-0. Për Kukësin në Estoni shënoi Progni. Në turin e dytë, kuksianët vihen përballë F.K.Sarajevo. Në ndeshjen e parë, luajtur në Tiranë më 18 Korrik 2013, Kukësi fitoi 3-2 me gola të shënuar nga Popoviç, Malakarne dhe Allmuça. Në ndeshjen e kthimit më 25 Korrik në Sarajevë, kuksianët barazojnë 0-0, ku spikati portiere Argent Halili, që priti dhe një penallti. Turi i tretë do t’i vinte kuksianët përballë Metalurgut Donetsk, rezultati 1-0, për venasit u dha të drejtën e kualifikimit kuksianëve. Play off, i rezervoi Kukësit përballë një kundërshtarë të vështirë, Tabzonsporin e Turqisë. Kukësi humbi ndeshjen e parë në Tiranë më 22 Gusht me rezultatin 2-0, ndërkohë që në ndeshjen e kthimit më 29 gusht 2013, humbi sërish me rezultatin 3-1. Për Kukësianët, që bënë një paraqitje dinjitoze, shënoi Popoviç. Pas përfundimit të sezonit futbollistik 2013-2014, Kukësi u bë pjesëmarrës për të dytën herë rrathazi në Europa Ligë. Shorti këtë herë vuri përballë një kundërshtari të fortë dhe të largët siç ishtë Kairat, Almaty (kazakistan). Në ndeshjen e parë zhvilluar më 3 Korrik 2014, në Kazakistan, Kukësi humbi 1-0 me një gol në minutën e 90-të, ndërkohë që një javë më vonë në Tiranë, ndeshja e kthimit u mbyll 0-0, rezultat që ndërpreu udhëtimin europian të Kukësit. Në sezonin 2014-2015 ekipi i Kukësit doli në vend të dytë në renditjen e përgjithshmë të Superligës dhe finalist i kupës së Shqipërisë. Kukësi u rendit në vendin e dytë si nënkampion i vendit tre herë radhazi duke grumbulluar 75 pikë me 59 gola të shënuar dhe 27 të pësuar. Në 36 ndeshje të zhvilluara ekipi mori 23 fitore, 6 barazime dhe 7 humbje, gjithashtu Kukësi ishte finalist i Kupës se Shqipërisë. Sulmuesi Pero Pejic shënoi 31 gola në Superligë dhe 5 në Kupën e Shqipërisë. Në sezonin e tanishëm të Europa Ligë Kukësi synon të përsërisë historinë e dy viteve më parë ku arriti deri në turin e katërt. Në sezonin futbollistik 2015-2016 F.K. KUKËSI, siguroi pjesëmarrjen në Europa Ligë edhe nëpërmjet renditjes në kampionatit edhe nëpërmjet fitimit të kupës së Shqipërisë. F.K. Kukësi fitoi për herë të parë një trofe. Kupa e Shqipërisë shkoi në Kukës, pasi ekipi përshkroi një rrugë të suksesshme drejt këtij trofeu. Përgjatë garës Kukësi eliminoi Naftëtarin, Ilirinë, Flamurtarin dhe Teutën. Në ndeshjen finale, të zhvilluar në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në Tiranë më 22 maj 2016, Kukësi fitoi me penallti ndaj Lacit 5-3, pasi loja e rregullt dhe shtesa përfundoi 1-1. Për herë të parë, me insistimin e F.K. Kukësit, FSHF-ja solli arbitra të huaj me stemë të FIFA-s që të arbitrojnë sa më drejt këtë finale shumë të rëndësishme. Treshja italiane e përbërë nga Marco Guida kryesor, me ndihmësa: Lorenco Manganelli dhe Alesandro Costanzo, të ndihmuar dhe nga arbitri i katërt shqiptar Enea Jorgji dhe vëzhgues Sokol Jareci, treguan nivel të lartë në adminsitrimin e ndeshjes.Tre ditë më vonë në sheshin “Skënderbej” në Kukës, u organizua një festë madhështore për fitimin e trofeut. Këtë manifestim dhe këtë trofe Kukësi nuk e kishtë parë asnjëherë, por vetëm e kishte ëndërruar. Presidenti z. Safet Gjici me mbështetjen e pakufishme që i dha ekipit dhe i vetëm në financim për të gjithë veprimtaritë, mundësoi këto rezultate dhe nivele të larta në futbollin e Kukësit.Ndërsa në Superligë ekipi u rendit i treti. Në 36 ndeshje të zhvilluara mori 63 pikë duke siguruar 1.75 pikë për ndeshje, me golavarazh të përgjithshëm 41 gola të shënuar dhe 25 të pësuar, 1.53 gola të shënuar në një ndeshje dhe gati dy herë më pak të pësuar. Në total Kukësi siguroi 18 fitore, 9 barazime dhe 9 humbje. Jashtë fushe Kukësi siguroi 5 fitore, 7 barazime dhe 6 humbje. Brenda në fushën e vet ekipi mori 13 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje. Golashënuesi më i mirë i ekipit u shpall Izair Emini me 10 gola, ndërkohë që Mateus Lima mbeti në kuotën e 7 golave. Suksese dhe kupa në përfundim të sezonit 2015-2016, morën edhe ekipet U-17 dhe U-19, që u shpallën kampionë në kategoritë e parë dhe sezonin e ardhshëm do jenë pjesë e Superligës Shqiptare për të rinjtë. Ndërsa ekipi Kukësi B, u shpall kampion që në debutimin e parë në ligën amatore dhe në sezonin e ardhëshëm do jetë pjesë e kategorisë së dytë. Viti 2016-2017 ishte viti më i suksesshëm për Ekipin e Kukësit duke qënë se u shpall Kampion i Superligës. Titulli kampion u vendos ne ndeshjen e parafundit përballë Skënderbeut të Korçës ndërsa kupa u ngrit në ndeshjen përfundimtare në Gjirokastër më 20 Maj 2017. Para titullit Kampion, suksesi që e parapriu atë, ishte fitorja e Superkupës së Shqipërisë dhe pikërisht ndeshja me rivalin kryesor të Kampionatit, Skënderbeun me rezultatin 3-1 në favor të Kukësit. Me arritjen e këtij suksesi, Kukësi sot zotëron 3 trofe të rëndësishëm në historinë e futbollit shqiptar. Për herë të parë në historikun e Klubit të Kukësit, në sezonin futbollistik 2017-2018 skuadra mori pjesë në turin e parë të UEFA Champions League me një përballje dinjitoze që u zgjidh vetëm në minutat e fundit duke lënë skuadrën të dalë më kokën lart nga sfida. Në sezonin futbollistik 2017 – 2018, FK KUKËSI, u shpall nënkampion i Shqipërisë me 63 pikë, me golavarazh 61 – 41. Që në fillim te sezonit klubi dhe presidenti, Safet Gjici, përgatitën një skuadër për trofe, duke sjellë lojtarë cilësorë dhe duke i dhënë mbështetje maksimale stafit teknik dhe ekipit. Në krye të pankinës erdhi trajneri, Mladen Milenkoviç, i cili në dy fazat e para nuk dha rezultatet e pritshme dhe u largua në përfundim të fazës së dytë. Në fazën përgatitore të janarit në Turqi, drejtimin e ekipit e mori, trajneri austriak, Peter Pacult, me zëvendës , Rraman Hallaçin dhe Drejtor Sportiv , Nderim Nexhipin, të cilët bënë dhe merkaton e duhur. Puna e stafit dhe ekipit bëri që Kukësi të rikthehet në pretendimet për titull dhe të arrijë rezultate mjaft të mira. Sulmuesi Elis Bakaj, që ishte ndër më të spikaturit në sulm dhe deri në këtë kohë, kryesues i tabelës së golashënuesve, u ofertua dhe u largua drejt Bjellorusisë. Spikati sulmesi, Sidrit Guri, me 20 gola të shënuar në Superligë , duke u bërë lojtari i Superligës, dhe duke marrë një ofertë mjaft të mirë nga klubi belg Ostende, duke u bërë lojtari më i shtrenjtë që Kukësi, ka arritur të shesë në tregun europian, por dhe nga lojtarët më të shtrenjtë të Superligës Shqiptare. Kjo lojë dhe bluza e Kukëkisit, bënë që dhe Kombëtarja Shqiptare, ta thërrasë Gurin duke e veshur kuq e zi. Po ashtu në kombëtaren U- 21 u thirrën dhe lojtarët Valon Et’hemi dhe Erli Çupi Në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm të sezonit, Kukësi u elemiua dhe në gjysëmfinalen e Kupës së Shqipërisë me Laçin në një barazim 1 – 1 në Kukës. Pas përfundimit të sezonit, ekipi bëri disa ditë pushim . Ekipi do të kryejë fazën përgatitore në Slloveni, nga data 15 qershor deri më 2 korrik , ku do ketë dhe disa ndeshje miqësore , në pritje të shortit të Chempions League. Ndërkohë stafi teknik dhe klubi vijojnë të sjellin emra të rijtë në ekip, për të kapur objektivin që është futja në grupë në Kupat e Europës.

Shpërndaj