Proçedurat që duhen ndjekur për të bërë një kërkesë për informacion
Bazuar në Kodin e Proçedurave Administrative dhe Ligjin Nr.119 datë 18.09.2014 “Për të drejtën e informimit”, qytetarët mund të depozitojnë kërkesë/ankesat e tyre në Bashkinë Kukes :
Adresa postare: Sheshi “Skënderbej”, Kukës Lagjia 5, 8501
Adresa elektronike: [email protected]
Kërkesa për informim
1. Kërkesa për informim bëhet me shkrim dhe dërgohet dorazi, me postë ose me postë elektronike, duke paraqitur saktë identitetin e kërkuesit dhe nënshkrimin e tij. Në çdo rast, kërkesa regjistrohet në Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve, të parashikuar në nenin 8 të këtij ligji. Në çdo rast, kërkesa për informim regjistrohet dhe për të caktohet një numër rendor. Numri rendor, së bashku me të dhënat e kontaktit të koordinatorit për të drejtën e informimit, i jepen kërkuesit që ka bërë kërkesën për informim. Kërkesat për informim regjistrohen sipas radhës së paraqitjes dhe trajtohen pa dallime mes tyre.
2. Kërkesa për informim duhet të përmbajë:
a) emrin dhe mbiemrin e kërkuesit;
b) adresën postare ose elektronike ku kërkohet të dërgohet informacioni;
c) përshkrimin e informacionit që kërkohet;
ç) formatin në të cilin preferohet informacioni;
d) çdo të dhënë që kërkuesi gjykon se mund të ndihmojë në identifikimin e informacionit të kërkuar.
e) Në qoftë se kërkesa për informim nuk e përcakton formatin në të cilin kërkohet informacioni, ai jepet në mënyrën më të efektshme dhe me koston më të ulët për autoritetin publik.
Afati për marrjen e informacionit:
1. Autoriteti publik trajton kërkesën për informim, duke parashtruar informacionin e kërkuar sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e dorëzimit të saj, përveç rasteve kur ligji i posaçëm parashikon ndryshe.
2. Kur autoriteti publik që merr kërkesën për informim ia dërgon atë një autoriteti tjetër, ai kthen përgjigje jo më vonë se 15 ditë pune nga dita e mbërritjes së kërkesës në autoritetin e parë.
3. Afati i parashikuar në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, mund të zgjatet me jo më shumë se 5 ditë pune për një nga shkaqet e mëposhtme: a) nevoja për të kërkuar dhe shqyrtuar dokumente të shumta e voluminoze; b) nevoja për t’i shtrirë kërkimet në zyra dhe mjedise që janë fizikisht të ndara nga zyra qendrore e autoritetit; c) nevoja për t’u konsultuar me autoritete të tjera publike përpara marrjes së një vendimi për plotësimin ose jo të kërkesës. Vendimi për zgjatjen e afatit i njoftohet menjëherë kërkuesit.
4. Në çdo rast, mostrajtimi i kërkesës për informim brenda afateve të sipërpërmendura do të konsiderohet refuzim.
5. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe për njohjen me informacionin arkivor të çdo lloji.
Trajtimi i kërkesave për informacion
Afatet e trajtimit të kërkesës nga ana e administartës së bashkisë
1. Në rastet kur autoriteti publik, të cilit i drejtohet kërkesa për informim, është i paqartë në lidhje me përmbajtjen dhe natyrën e kërkesës, ai kontakton menjëherë, por gjithnjë jo më vonë se 48 orë nga data e paraqitjes së kërkesës, me kërkuesin për të bërë sqarimet e nevojshme. Në çdo rast, autoriteti publik ndihmon kërkuesin në saktësimin e kërkesës.
2. Në qoftë se pas shqyrtimit të kërkesës autoriteti publik konstaton se nuk e zotëron informacionin e kërkuar, ai, jo më vonë se 10 ditë kalendarike nga data e dorëzimit të kërkesës, ia dërgon atë autoritetit kompetent, duke e vënë në dijeni edhe kërkuesin. Arsyeja e vetme që justifikon dërgimin e kërkesës një autoriteti tjetër është mungesa e informacionit të kërkuar.
3. Autoriteti publik, të cilit i është drejtuar kërkesa për informim, njofton kërkuesin se kërkesa e tij i është dërguar një autoriteti tjetër, si dhe e informon atë për kontaktet e autoritetit ku është dërguar kërkesa
Kufizimet
1. E drejta e informimit mund të kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe
nëse dhënia e informacionit dëmton interesat e mëposhtëm:
a. të drejtën për një jetë private;
b. sekretin tregtar;
c. të drejtën e autorit;
d. patentat.
Kufizimi i së drejtës së informimit, për shkak të interesave të parashikuar në shkronjat “a”, “b”,
“c” dhe “ç”, të kësaj pike, nuk zbatohet kur titullari i këtyre të drejtave ka dhënë vetë pëlqimin
për dhënien e informacionit përkatës ose kur në momentin e dhënies së informacionit ai është
konsideruar autoritet publik në bazë të parashikimeve të këtij ligji. Pavarësisht nga sa
parashikohet në këtë pikë, informacioni i kërkuar nuk refuzohet në rast se ekziston një interes
publik më i lartë për dhënien e tij.
2. E drejta e informimit kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse
dhënia e informacionit shkakton një dëm të qartë dhe të rëndë ndaj interesave të mëposhtëm:
a) sigurinë kombëtare, sipas përkufizimit të bërë nga legjislacioni për informacionin e
klasifikuar;
b) parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale;
c) mbarëvajtjen e hetimit administrativ në kuadër të një procedimi disiplinor;
ç) mbarëvajtjen e procedurave të inspektimit dhe auditimit të autoriteteve publike;
d) formulimin e politikave monetare dhe fiskale të shtetit;
dh) barazinë e palëve në një proces gjyqësor dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor;
e) këshillimin dhe diskutimin paraprak brenda ose midis autoriteteve publike për zhvillimin e
politikave publike;
ë) mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërko-mbëtare ose ndërqeveritare.
Pavarësisht nga sa parashikohet në paragrafin e parë, të pikës 2, të këtij neni, informacioni i
kërkuar nuk refuzohet në rast se ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e tij. Kufizimi
mbi të drejtën e informimit, për shkak të interesit të parashikuar në pikën 2, shkronjat “c” dhe
“ç”, të këtij neni, nuk zbatohet kur hetimi administrativ, në kuadër të një procedimi disiplinor,
dhe procedurat e inspektimit e të auditimit të autoriteteve publike kanë përfunduar. Kufizimi mbi
të drejtën e informimit, për shkak të interesit të parashikuar në pikën 2, shkronjat “d” dhe “dh”,
të këtij neni, nuk zbatohet kur të dhënat përkatëse janë fakte, analiza të fakteve, të dhëna teknike
ose të dhëna statistikore. Kufizimi mbi të drejtën e informimit, për shkak të interesit të
parashikuar në pikën 2, shkronja “e”, të këtij neni, nuk zbatohet pasi politikat janë bërë publike.
3. E drejta e informimit kufizohet, nëse është e domosdoshme, proporcionale dhe në qoftë se
përhapja e informacionit do të shkelte sekretin profesional të garantuar nga ligji.
4. E drejta e informimit kufizohet edhe kur, pavarësisht nga ndihma e dhënë nga autoriteti
publik, kërkesa mbetet e paqartë dhe bëhet i pamundur identifikimi i informacionit të kërkuar.
5. E drejta e informimit nuk refuzohet automatikisht kur informacioni i kërkuar gjendet në
dokumente të klasifikuara “sekret shtetëror”. Në këtë rast, autoriteti publik, të cilit i është
dërguar kërkesa për informim, fillon menjëherë procedurën e rishikimit të klasifikimit pranë
autoritetit publik që ka urdhëruar klasifikimin, sipas ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999, “Për
informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””, të ndryshuar. Autoriteti publik njofton menjëherë
kërkuesin për fillimin e procedurës për rishikimin e klasifikimit, sipas ligjit, dhe vendos shtyrjen
e afatit për dhënien e informacionit brenda 30 ditëve pune. Në çdo rast, vendimi për trajtimin ose
jo të kërkesës për informim merret dhe arsyetohet në bazë të kritereve të këtij neni.
6. Nëse kufizimi prek vetëm një pjesë të informacionit të kërkuar, pjesa tjetër nuk i refuzohet
kërkuesit. Autoriteti publik tregon qartë pjesët e dokumentacionit përkatës që janë refuzuar, si
dhe në bazë të cilës pikë të këtij neni është bërë ky refuzim. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe
për njohjen me informacionin arkivor të çdo lloji, pavarësisht nga parashikimet e ligjit për
arkivat.
Mënyrat e dhënies së informacionit
1. Të gjitha kërkesat për informacion trajtohen, si rregull, nëpërmjet konsultimit pa pagesë të informacionit në mjediset e autoritetit publik, nëpërmjet portalit unik qeveritar e- albania.al apo, kur është rasti, nëpërmjet faqes zyrtare të autoritetit publik në internet.
2. Kërkesat, që lidhen me dokumente të shkruara, trajtohen duke vënë në dispozicion të kërkuesit: a) një kopje të plotë, në format të njëjtë me atë të përdorur nga autoriteti publik, përveç rasteve të veçanta; b) një kopje të plotë të informacionit nëpërmjet postës elektronike, kur informacioni gjendet në një formë të tillë ose mund të konvertohet.
3. Lidhur me kërkesat që lidhen me forma të tjera, informacioni jepet në mënyrën më të efektshme dhe me koston më të ulët për autoritetin publik.
4. Në çdo rast, vendimi i refuzimit për formën e kërkuar jepet me shkrim dhe i arsyetuar.
Informacioni i dhënë më parë
1. Autoriteti publik bën të mundur që informacioni, i cili i është dhënë të paktën një herë një kërkuesi, të bëhet i disponueshëm në mënyrën më praktike të mundshme për të gjithë personat e tjerë që mund ta kërkojnë në të ardhmen.
2. Kërkesat për informim për informacione të regjistruara në Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve plotësohen jo më vonë se 3 ditë pune nga momenti i paraqitjes së kërkesës.
Tarifa për dhënien e informacionit
Shërbimet e administratës publike janë pa pagesë. Dhënia e informacionit mund të bëhet kundrejt një tarife, të përcaktuar më parë dhe të bërë publike nga autoriteti publik në faqen e tij të internetit dhe në mjediset e pritjes së publikut. Tarifa është kostoja e riprodhimit të informacionit të kërkuar dhe, kur është rasti, e dërgimit të tij. Informacioni i kërkuar në rrugë elektronike jepet falas.
Kostoja e riprodhimit nuk mund të jetë më e lartë se kostoja reale e materialit, mbi të cilin riprodhohet informacioni. Kostoja e dërgimit nuk mund të jetë më e lartë se kostoja mesatare e të njëjtit shërbim në treg.
Informacione dhe dokumenta që kërkohen më shpesh
Të dhëna historike
Informacione për taksat
Të dhëna për investimet e bëra nga fondacionet
Procedurat për shqyrtimin e ankesave
1. Çdo person, kur çmon se i janë shkelur të drejtat e parashikuara nga ky ligj, ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përputhje me këtë ligj dhe Kodin e Procedurave Administrative.
2. Ankimi administrativ pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale bëhet brenda 30 ditëve pune nga dita kur:
- ankuesi ka marrë njoftim për refuzimin e informacionit;
- ka kaluar afati i parashikuar në këtë ligj për dhënien e informacionit.
3. Me marrjen e ankesës, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ia kalon atë strukturës që merret me të drejtën e informimit, e cila verifikon faktet dhe bazën ligjore të ankesës. Për këtë qëllim, ai mund t’u kërkojë ankuesit dhe autoritetit publik, kundër të cilit është bërë ankesa, të paraqesin parashtrime me shkrim, si dhe të informohet nga çdo person dhe burim tjetër. Kur e sheh të nevojshme, komisioneri zhvillon një seancë dëgjimore publike me pjesëmarrjen e palëve.
4. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale merr vendim për ankesën brenda 15 ditëve pune nga dita kur është dorëzuar ankimi.
5. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vendos:
a) mospranimin e ankesës kur:
i) ka kaluar afati i parashikuar në pikën 2 të këtij neni;
ii) ankimi nuk paraqitet në formë shkresore;
iii) nuk tregohet emri dhe adresa e ankuesit;
b) pranimin e ankesës dhe urdhërimin e autoritetit publik për të dhënë informacionin e kërkuar, në mënyrë të plotë ose të pjesshme;
c) rrëzimin e ankesës, pjesërisht ose tërësisht;
ç) afatin, brenda të cilit autoriteti publik duhet të zbatojë urdhrin.
6. Në qoftë se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk merr vendim përpara mbarimit të afatit të parashikuar në pikën 4, të këtij neni, ankuesit i lind e drejta për t’iu drejtuar gjykatës.
Kërkuesi ose autoriteti publik ka të drejtë ta ankimojë vendimin e komisionerit në gjykatën administrative kompetente.