ÇFARË ËSHTË KËSHILLI BASHKIAK?

Në çdo njësi të pushtetit vendor krijohen organe përfaqësuese dhe ekzekutive.

Kështu organi përfaqësues për secilën nga njësitë bazë të pushtetit vendor është Këshilli.

Këto struktura dalin nga zgjedhjet për organet e pushtetit vendor që organizohen një herë në 4 vjet, përmes një votimi të përgjithshëm, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë nga populli.

Numri i anëtarëve të Këshillit përcaktohet në varësi të numrit të popullsisë së njësisë përkatëse.

Në krye të çdo Këshilli emërohet një Kryetar i cili zgjidhet nga vetë radhët e anëtarëve të Këshillit.

Duke iu referuar përgjegjësive që Ligji u ka atribuuar Këshillave Vendorë del qartësisht në pah funksioni i tyre si organe vendim-marrëse, politik-bërës dhe mbikëqyrëse. Themi vendim-marrëse pasi Këshilli ka të drejtë të marrë vendime që lidhen me ofrimin e shërbimeve, vendosjen e taksave, ndërtimin e një lulishteje, etj, vendime drejtpërdrejtë të lidhura këto me mirëqenien dhe mirëfunksionimin e komunitetit.

Ky funksion realizohet përmes miratimit të akteve të ndryshme ligjore që lidhen me drejtimin ekonomik, social dhe politik të pushtetit vendor. Si organ politik-bërës, Këshilli është përgjegjës për hartimin e politikave vendore. Ai ka të drejtë të vendosë nivelin e taksave dhe tarifave, të hartojë politika fiskale katër vjeçare, të përcaktojë standardin e shërbimeve, të ngrejë struktura për pjesëmarrjen e publikut në vendim-marrje dhe të hartojë strategji zhvillimi, etj. Ndërkohë që përgjegjësia e Këshillit për të monitoruar zbatimin e vendimeve dhe politikave të Këshillit nga ana e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore përbën funksionin mbikëqyrës të Këshillit Vendor.

Shpërndaj